barna

Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave reagoi sot pas arrestimeve në Spitalin Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë për abuzim me detyrën.


Gjatë një konference për mediat, drejtori i QKKB, Besnik Jakaj, tha se "do të bëhen verifikimet për numrat e serive të barnave kur janë shitur këto barna në spital, tek cila farmaci dhe shërbim kanë vajtur dhe do të dalin të gjithë personat përgjegjës për abuzimin e bërë".
Ndërkohë, Jakaj sqaroi se ilaçet me pullë, që ishin për përdorim spitalor, janë shitur në farmaci të ndryshme, duke shkaktuar mungesa të ilaçeve në spitale. Inspektorët e QKKB bashkëpunuan me strukturat e policisë për të evidentuar rastet, duke mundësuar kështu dhe arrestimin e 3 personave që keqpërdornin detyrën për përfitime personale.

Tre persona janë arrestuar sot nga policia e Tiranës në kuadër të operacionit ‘Clexane’, nën dyshimin se vidhnin medikamente mjekësore të destinuara për përdorim spitalor. Personat, pasi vidhnin medikamentet të cilat ishin për përdorim të brendshëm të spitalit dhe me vulën përkatëse ndalohet shitja e tyre, detyronin pacientët që ndodhen të shtruar në spital, që të blinin medikamente pranë farmacive në afërsi spitalit “Nënë Tereza”, u shpreh kreu i policisë së kryeqytetit. Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar dy automjete, të cilat shërbenin për shpërndarjen dhe transportimin e medikamenteve të vjedhura si dhe një sasi e konsiderueshme medikamentesh mjekësore, të cilat arrijnë vlerën rreth 80 mijë lekë.

 

barnat
apliko
media-G